Leksione Histologji
Histologjia: Objekti, Historiku, Metodat e Studimit
Histologjia është shkenca që studion indet. Emërtimi "histologji" vjen nga greqishtja (histos-ind dhe logos-shkence). Indet janë struktura të ndërtuara nga qelizat dhe lënda jashtëqelizore.
Qelizat janë njësitë më të vogla të organizmave të gjalla dhe mund të shihen vetëm me zmadhime mikroskopike.
Organet formohen nga kombinime të ndryshme të katër indeve bazë: indi epitelial, indi lidhor, indi muskulor dhe indi nervor.
Pavarësisht emërtimit, histologjia përfshin citologjinë, histologjinë e përgjithshme dhe histologjinë speciale.
Citologjia studion qelizën në nivel mikroskopik dhe ultramikroskopik.
Histologjia e përgjithshme studion ndërtimin mikroskopik dhe ultramikroskopik të indeve.
Histologjia speciale studion ndërtimin mikroskopik dhe ultramikroskopik të organeve.
Historia e Zhvillimit të Histologjisë
Zhvillimi i histologjisë është i lidhur ngushtë me ndërtimin e mikroskopit të parë. Fizikanti italian Galileo Galilei ndërtoi mikroskopin e parë të thjeshtë në vitet 1609-1610. Robert Huk rriti fuqinë zmadhuese të mikroskopit të Galileut. Në 1665, Huku ekaminoi seksione të holla të tapës dhe zbuloi dhomëza të vogla që i quajti qeliza. Anatomisti dhe fiziologu francez Bichat përdori konceptin e indit në 1770. Shkencëtari gjerman August Mayer përdori termin histologji për herë të parë në 1787. Jacob Henle dhe Rudolph Von Kolliker shkruan librin e parë për histologji në 1841.
Në 1839, Schleiden dhe Schwann formuluan teorinë qelizore, sipas së cilës qeliza është njësia bazë e të gjithë organizmave të gjalla. Në 1855-58, Rudolph Virchow zbuloi prejardhjen e qelizave dhe lidhjen e tyre me patologjinë. Leewenhoek, Robert Brown dhe Purkinje kontribuan në zbulimin e bërthamës.
Metodat e Studimit në Histologji
Metodat e studimit në histologji përfshijnë:
Metodat e studimit mikroskopik
Histokimia
Imunohistokimia
Autoradiografia
Kultura qelizore (kultura in vitro)
Metodat e studimit biokimik të qelizës
Metodat e Studimit Mikroskopik
Teknika histologjike përfshin etapat e mëposhtme:
Marrja e materialit
Fiksimi i materialit
Shpëlarja e materialit
Dehidrimi i materialit
Ngurtësimi i materialit
Prerja e materialit
Ngjyrimi i materialit
Mbulimi i seksioneve
Marrja e materialit mund të bëhet te njeriu i gjallë (biopsi) ose te njeriu i vdekur (nekropsi). Materiali duhet të jetë i freskët dhe pritet me instrumenta të mprehtë. Për ekzaminim merret një copë ind me formë kubike me brinjë rreth 1-2 cm.
Fiksimi i materialit konsiston në fiksimin e konsistencës së qelizave dhe indeve në një gjendje të caktuar fizike dhe kimike. Fiksatorët mund të jenë të thjeshtë (alkool etilik (C2H5OH), alkool metilik, formalinë (HCHO), acid osmik (SO_4)) ose të përbërë (sol. Myler, Cenker, Buen).
Fiksimi kryhet në enë qelqi në temperaturën 18-20°C për 2-24 orë. Lënda fiksuese vepron me grupet e proteinave, duke i precipituar dhe denatyruar. Fiksimi shkakton vdekjen e shpejtë të qelizave dhe çaktivizon enzimat hidrolitike.
Shpëlarja e materialit ka për qëllim largimin e lëndës fiksuese dhe precipitateve të mundshme. Bëhet me ujë çezmeje për 2-24 orë.
Dehidrimi i materialit ka për qëllim heqjen e ujit nga hapësirat ndërqelizore. Agjenti më i mirë dehidrues është alkooli etilik. Dehidrimi realizohet me alkool absolut, duke përdorur një seri enësh me përqendrime të rritura të alkoolit (50%, 60%, …, 96%, 100%).
Ngurtësimi i materialit synon përgatitjen e indeve për prerjet pasuese. Metodat e ngurtësimit përfshijnë metodën e azotit të lëngshëm, kloretil, (CO_2), dhe metodën e parafinës, celoidinës, xhelatinës. Metoda e parafinës përdor parafinën histologjike me pikë shkrirje 55-56 °C.
Celoidina nxirret nga celuloza dhe përgatitet nga tretja e filmave kinematografikë në përzierje alkooli absolut dhe eteri. Përqëndrimet e celoidinës janë 2%, 4% dhe 8%. Ngurtësimi me këtë metodë realizohet duke e kaluar materialin në secilin përqëndrim të celoidinës për rreth 7 ditë. Me këtë metodë mund të bëhen prerje mjaft të holla të seksioneve histologjike, që luhaten nga 3-5 mikrometër.
Prerja është etapa që realizon prerjen e blllokut të parafinës në shtresa të holla me mikrotom. Prerjet janë të niveleve të mikrometrave, konkretisht 5-7 mikrometra. Këto prerje vendosen mbi një lamë mbajtëse mikroskopi.
Ngjyrimi është një nga etapat e fundit, që paraprin mbulimin dhe etiketimin. Përdoren ngjyrues bazikë (kationikë) dhe acidë (anionikë).
Ngjyrimet e zakonshme diferencojnë bërthamën dhe citoplazmën. Kombinimi hematoksilinë-eozinë është më i zakonshmi. Hematoksilina ngjyros bërthamën dhe eozina citoplazmën.
Mbulimi është etapa e fundit, që ka të bëjë me vendosjen e një xhami mbulues mbi seksionin indor. Mbi xhamin mbulues vihet pak balsam kanadez.
Ngjyrimi vital injektohet në kafshë të gjalla, ndërsa ngjyrimi supravital aplikohet në kulturën qelizore.
Histokimia
Histokimia mundëson përcaktimin e saktë të kimisë qelizore dhe indeve. Kjo metodë studimi merret me aplikimin e metodave kimike në qelizat dhe indet, për identifikimin e lëndëve të ndryshme kimike në vendet e tyre normale. Reaksionet histokimike lejojnë identifikimin e proteinave, yndyrnave, karbohidrateve, të ADN, enzimave, etj.
Reaksionet histokimike varen nga ruajtja e pozicionit normal të përbërësve kimikë, specificiteti i reaksionit kimik, ngjyrosja intensive e lamës dhe domosdoshmëria e kontrolleve pozitive dhe negative.
Ngjyrimi i zakonshem përdor kombinime të ngjyruesve bazikë (hematoksilina) dhe acidë (eozina) për të ngjyrosur strukturat specifike në qelizë, përkatësisht bërthamën (bazofile) dhe citoplazmën (acidofile).
Strukturat acidofile përfshijnë citoplazmën, mitokondritë, granulat zimogjene, citoskeletin, hemoglobinën, eozinofilet, kolagjenin, dentinën dhe matriksin jashtëqelizor.
Strukturat bazofile përfshijnë bërthamën (ADN, ARN), ribozomet, REP (lënda tigroide), citoplazmën e qelizave që kanë shumë REP dhe ribozome, granulat e bazofileve dhe mastociteve.
Kur ngjyrimi i zakonshëm nuk arrin të ngjyrosë struktura qelizore ose indore, përdoren ngjyrimet speciale.
P.A.S vë në dukje praninë e karbohidrateve, glikoproteinave ose strukturave të tjera të pasura në karbohidrate. Ngjyra që merr struktura PAS pozitive është vjollce e errët. Ngjyrimi i PAS përdor acidin periodik dhe reagentin e Schiff.
Strukturat PAS pozitive përfshijnë glikogjenin, mukusin, glikokaliksin, laminën bazale dhe matriksin e kërcit hialin.
Ngjyrimi i Sudan është specifik për lipidet. Lipidet mund të ngjyrosen edhe me acid osmik (ngjyrë të zezë) dhe Sharllah (ngjyrë të kuqe).
Ka dhe ngjyrime specifike për ADN (reaksioni i Feulgen).
Imunohistokimia
Imunohistokimia bazohet në përdorimin e një antikorpi specifik të shënuar me një lëndë që shihet me lehtësi me mikroskop, për identifikimin e përbërësve të caktuar kimikë qelizore. Aplikime të rëndësishme të imunohistokimisë janë identifikimi i proteinave endogjene, lokalizimi i miozinës, origjina e hormoneve dhe qelizave të imunitetit.
Autoradiografia
Autoradiografia shërben për përcaktimin e lokalizimit të izotopeve radioaktivë në seksionet indore. Pamja e izotopeve radioaktivë mundësohet me metodën e autohistografisë.
Kultura Qelizore (Kultura In Vitro)
Kultura qelizore është një nga metodat eksperimentale të studimit, ku qelizat e gjalla të shkëputura nga inde të ndryshme kultivohen në kushte të posaçme:
Temperatura (37°C)
Lëndët ushqyese
Steriliteti (asepsia dhe antisepsia)
pH
Faktorët rritës
Koha optimale për kultivim (zakonisht 72 orë)
Metodat e Studimit Biokimik të Qelizës
Këto metoda shfrytëzojnë ndarjen e organeleve qelizore me metodën e centrifugimit të diferencuar.
Mikroskopia
Mikroskopi optik është instrumenti kryesor në vrojtimin e preparateve histologjike.
Mikroskopi elektronik përdor tufë elektronesh në vend të rrezeve të dritës.
Mikroskopi faze-kontrast vrojton preparatet të pangjyrosura.
Mikroskopi me dritë të polarizuar shfrytëzon birefrinjencën.
Mikroskopi me fluoreshencë përdor rreze ultraviollce.
Hibridizimi In Situ
Hibridizimi in situ mundëson studimin e lokalizimit, ekspresionit dhe suprimimit të gjeneve nëpërmjet përdorimit të sondave gjenike (fije ADN-je ose ARN-je komplementare).
Citofluorometria
Citofluorometria përdoret për përcaktimin sasior të lëndëve të ndryshme në qelizë duke shfrytëzuar thithjen e dritës sipas një spektri të caktuar.